FONDI1983 .DK

Statuti

STATUTI për FONDIN1983

 

Fondi është i regjistruar si shoqatë në CVR regjistrin e Danimarkës në bazë të paragrafit §78 të Kushtetutës së Danimarkës për shoqata.

Fondi nuk ka ligje dhe rregulla tjera përveç këtij Statuti.

 

  • 1- EMRI, WEBFAQJA DHE E-MAIL ADRESA

Emri i fondit është “Fondi1983”, webfaqja: www.fondi1983.dk dhe e-mail adresa: fondi1983@gmail.com.

 

  • 2 - QËLLIMI

Fondi është i pavarur dhe ka karakter humanitar. Qëllimi i Fondit është që të mbulojë harxhimet për përgatitjen e kufomës së anëtarëve, transportin kufomës së anëtarëve pas vdekjes deri tek vendi i varrimit në atdhe ose në Danimarkë dhe vet varrimin. Si dhe përgatitjen & transportin dhe varrimin e kufomës së anëtarëve pas vdekjes këtu në Danimarkë. Me këtë nënkuptohet:

2.1. Fondi mbulon harxhimet për përgatitjen e kufomës së anëtarëve të vet, transportin e kufomës së anëtarëve të vet nga Kopenhaga dhe rrethina e Kopenhagës, deri në destinacionin e fundit në atdhe dhe varrimin në atdhe. Fondi nuk mbulon transportin e kufomës deri në Kopenhagë.

2.2. Fondi mbulon harxhimet për përgatitjen, transportin dhe varrimin e kufomës së anëtarëve të vet këtu në Danimarkë (Kopenhagë dhe rrethinë). Fondi nuk mbulon transportin e kufomës deri në Kopenhagë. Fondi mbulon harxhimet për vet varrimin dhe blerjen e sipërfaqes së varrit për periudhën e parë (vitet e para të caktuara nga vet varrezat). Pas periudhës së parë, familja e të vdekurit kontaktohet nga përfaqësuesi i varrezave për vazhdimin ose jo të blerjes së sipërfaqes së varrimit edhe për disa vite tjera.

2.3. Fondi nuk mbulon larjen e kufomës së anëtarëve.

2.4. Nëse anëtari i Fondit gjatë pushimeve vdes në atdhe, atëherë Fondi kompenzon me 5.000 DKK bashkëshortin/ bashkëshorten, ose fëmijën/-ët e anëtarit/ anëtares dhe një nga këta anëtarët e familjes obligohet t’a kontaktojnë kryesinë për të pranuar paratë.

2.5. Nëse anëtari i Fondit gjatë pushimeve vdes në atdhe dhe e ka lënë amanet me u varros në Danimarkë, atëherë Fondi mbulon harxhimet për përgatitjen dhe transportin e kufomës së anëtarëve të vet nga aeroporti i Kopenhagës deri tek varrezat këtu në Danimarkë. Prej aeroportit të Kopenhagës, Fondi mbulon sipas paragrafit 2.2. D.m.th.. Fondi nuk mbulon asnjë harxhim nga atdheu deri në aeroportin e Kopenhagës.

2.6. Foshnja e vdekur para lindjes ose menjëherë pas lindjes. Fondi mbulon harxhimet e varrimit të foshnjës së vdekur para ose menjëherë pas lindjes vetëm në Danimarkë dhe jo në atdhe. Fondi mbulon këtë vetëm nëse anëtarja e Fondit paguan anëtarësi vjetore për foshnjën prej momentit kur e ndjen të gjallë fëmijën në barkun e vet gjatë shtatzënisë. Fondi mbulon këtë vetëm pas ditës së 14 pasi anëtarja ka bërë pagesën dhe jo prej datës kur ajo ka bërë pagesën.

2.7. Kapitali i Fondit mund të përdoret vetëm për këto qëllime të lartpërmendura të Fondit.

2.8. Keqpërdorimi i kapitalit të Fondit dënohet sipas ligjeve të Danimarkës.

 

  • 3 – ANËTARËSIMI

3.1. Anëtarët e Fondit janë me prejardhje vetëm nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Danimarkë, ose janë lindur në Danimarkë por janë me prejardhje vetëm nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Lugina e Preshevës.

 

3.2. Anëtarësimi në Fond mund të bëhet drejtpërdrejtë në webfaqen e Fondit ose tek përfaqësuesit e lokaliteteve/ tek kryesia.

 

3.3. Çdo anëtarë i plotë mund të kandidojë për në këshill ose në kryesi të Fondit.

 

3.4. Anëtari i plotë duhet doemos të respektojë rregullat e statutit të Fondit.

 

  • 4- PAGESA E ANËTARËSISË

4.1. Anëtari ri në Fond duhet të paguajë pagesën e anëtarësisë dhe pastaj çdo vit të bëjë pagesën vjetore të anëtarësisë prej vitit kur është bërë anëtar.

 

Pagesa e anëtarësisë për anëtarët e ri është:

 

0 DKK – FALAS – për fëmijë të moshës nën 18 vjet

3.000 DKK – për të rritur të moshës prej 18 vjet

10.000 DKK- për personat e moshës prej 60 vjet

 

4.2. Gjithë anëtarët janë të obliguar të bëjnë pagesën vjetore të anëtarësisë prej 200 DKK për person në vit.

 

4.3. Pagesa vjetore bëhet çdo vit nga data 1 janar deri më 15 janar në konto- numrin e Fondit.

 

4.4. Anëtarët që nuk do t’a bëjnë pagesën në kohë në këtë periudhë, kryesia dhe përfaqësuesit e lokaliteteve të Fondit janë të obliguar që deri në dy herë t’i njoftojnë me shkrim anëtarët e Fondit.

Njoftimi i anëtarëve për mospagesën e anëtarësisë do të bëhet çdo vit brenda datës 1/2 deri më 28/2.

 

4.5. Pas dy vërejtjeve me shkrim të bëra nga kryesia/ përfaqësuesit e lokaliteteve që do t’u bëhen anëtarëve për mospagesën, nëse anëtarët ende nuk kanë bërë pagesën vjetore deri më 31/5 dhe nuk kanë arsye, atëherë ata largohen nga Fondi.

 

4.6. Largimi nga Fondi me vetdëshirë ose me përjashtim bëhet me shkrim. Fondi nuk mbulon asgjë, do me thënë paratë nuk kthehen prap.

 

  • 5 - EKONOMIA DHE LLOGARITJA

5.1. Llogaria dhe ekonomia e Fondit do të bëhet çdo vit kalendarik.

Llogarinë dhe revizionin e Fondit e bën arkëtari dhe administratori i Fondit.

 

5.2. Kryesia dhe këshilli i Fondit kanë obligim të paraqesin llogaridhënie para anëtarëve.

5.3. Buxheti i Fondit mbushet vetëm nga pagesa e anëtarëve.

 

5.4. Fondi nuk pranon ndihma nga jashtë dhe nuk jep ndihma nga mjetet e Fondit të anëtarëve për qëllime tjera, përveç të atyre në §2.

 

5.5. Kryesia dhe këshilli i Fondit punon vullnetarisht për Fondin dhe nuk paguhet nga buxheti i Fondit.

 

  • 6 – KRYESIA

6.1. Kryesia përbëhet nga 5 anëtarë të cilët zgjidhen nga këshilli i lokaliteteve të zgjedhur nga anëtarët e çdo lokaliteti.

 

6.2. Kryesia ka mandat prej 4 viteve dhe mund të zgjidhet maksimum vetëm dy mandate me rradhë.

 

6.3. Kryesia përbëhet nga këto 5 anëtarë: Kryetari, Nënkryetari, Arkëtari, Administratori dhe një Zëvendësues (supleant).

 

6.4. Puna në kryesi është vullnetare dhe pa pagesë.

 

6.5. Kryesia dhe këshilli me përfaqësuesit takohet minimum dy herë në vit, ku bëjnë kontrollimin, llogaritjen vjetore, rezultatin dhe balancën.

 

6.6. Kryesia bashkë me këshillin kanë për obligim që të mbajnë 1 mbledhje gjenerale vjetore me gjithë anëtarët, për t’i informuar me gjendjen dhe llogaridhënien e fondit.

 

 

Detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të kryesisë

 

Kryetari:

  • Udhëheq Fondin në përputhje me statutin
  • Organizon mbledhjet e kryesisë
  • Mbikëqyr aktivitetet e Fondit
  • Siguron që statuti i Fondit të respektohet, të zhvillohet dhe të ketë një inspektim të rregullt shërbimi
  • Vendimet, veçanërisht për financat dhe ndryshimet në statut, ua prezanton anëtarëve në mbledhjen e përgjithshme.
  • Siguron që Fondi të përmbushë detyrimet e saj ligjore dhe demokratike
  • Siguron që anëtarët të kenë njohuri dhe ndikim në Fond

 

Nënkryetari:

  • Ndihmon dhe zëvendëson gjitha punët e kryetarit në mungesë të tij
  • Organizon dhe mban kontakt me personin e varrimit (bedemand)

 

Arkëtari:

  • Menaxhon financat dhe siguron pagesën e shërbimeve të Fondit
  • Përgatit llogaridhënie për Fondin në fund të vitit dhe në mbledhje gjenerale.
  • I ofron kryesisë raportim financiar të vazhdueshëm dhe adekuat.

 

Administratori:

  • Regjistron dhe administron anëtarët dhe shërbimin e pagesave të tyre
  • Siguron që statusi i anëtarëve të jetë në përputhje me detyrimet e paguara
  • Trajton pagesën vjetore të anëtarësisë nëpërmjet PBS dhe Web
  • Ndihmon anëtarët me regjistrimin për shërbimin e pagesave
  • Paraqet gjendjen e anëtarësimit dhe zhvillimit në numrin e anëtarëve në vitin e kaluar.
  • Paraqet projektin e parashikimeve të të hyrave dhe harxhimeve të Fondit për vitin e ardhshëm
  • Menaxhon komunikimin me anëtarët nëpërmjet emailit të Fondit.
  • Publikon informata për anëtarët si dhe e mirëmban webfaqen e Fondit

 

Zëvendësuesi (supelant):

  • Ndihmon dhe zëvendëson çdonjërin nga anëtarët e kryesisë në mungesë të tij. Njëkohësisht mund të luajë rolin dhe të kryejë obligimet dhe përgjegjësitë e çdonjërit nga anë taret e kryesisë.

 

  • 7 - KËSHILLI I PËRFAQËSUESVE TË LOKALITETEVE

Çdo lokalitet mund të zgjedhë një përfaqësues në këshillin e fondit dhe çdo lokalitet që ka mbi 500 anëtarë mund të zgjedh dy përfaqësues në këshillin e fondit.

Përfaqësuesit e lokaliteteve kanë mandat prej 4 viteve.

 

  • 8 – MBLEDHJE GJENERALE

8.1. Kryesia ka obligim që të mbajë 1 mbledhje gjenerale vjetore me gjithë anëtarët e Fondit.

Mbledhja gjenerale mbahet çdo vit në të shtunën e fundit të muajit shkurt.

 

8.2. Rendi i ditës për mbledhjen gjenerale vjetore të rregullt publikohet 6 javë para mbajtjes dhe  duhet të përmbajë të paktën pikat e mëposhtme:

 

  • Zgjedhja e referentit dhe udhëheqësit të mbledhjes
  • Prezentimi i anëtarëve të këshillit dhe kryesisë së Fondit
  • Raport për punën e fondit në vitin e kaluar
  • Pasqyrimi i llogarive të audituara për miratim
  • Përcaktimi i kuotës për vitin e ardhshëm
  • (Çdo 4 vite) Zgjedhja e kryesisë (kryetar, nënkryetar, arkëtar, administrator dhe zëvendësues)
  • Përpunimi i propozimeve dhe pyetjeve të paraqitura me shkrim nga anëtarë, të cilat me urdhër të kryesisë janë përfshirë në rend dite
  • (Çdo 4 vite) Zgjedhja e këshillit
  • Aktivitetet e ardhshme

 

8.3. Çdo anëtarë ka të drejtë të propozojë diçka për rendin e ditës. Propozimi nga anëtarët e Fondit duhet të dërgohet me shkrim në e-mail’in e Fondit më së voni deri më 31 dhjetor para mbajtjes së mbledhjes gjenerale. Propozimi nga anëtarët vlerësohet nga kryesia dhe vetëm me pëlqimi nga shumica e anëtarëve të kryesisë një propozim i anëtarëve mund të vendoset në rend dite në mbledhjen gjenerale.

 

  • 9 – MBLEDHJE E JASHTËZAKONSHME GJENERALE

Mbledhje e jashtëzakonshme gjenerale mund të mbahet nëse 1/3 e anëtarëve e dëshirojnë atë. Kërkesa duhet të jetë me shkrim dhe duhet të përmbajë nënshkrimet e 1/3 së anëtarëve mbi 18 vjet dhe të ketë vetëm atë pikë të rendit të ditës për të cilën dëshirojnë t’a trajtojnë.

 

  • 10 – PËRJASHTIMI/ LARGIMI NGA FONDI1983

10.1. Nëse një anëtarë nuk respekton statutin e Fondit edhe pas dy vërejtjeve me shkrim, atëherë përjashtohet nga Fondi. Përjashtimi nga Fondi bëhet me shkrim nga kryesia dhe paratë nuk kthehen.

 

10.2. Largimi me vetdëshirë nga Fondi bëhet me shkrim një muaj para datës 1 janar për shkaqe administrative. Anëtari që dërgon largimin me shkrim pas afatit të lartpërmendur është i obliguar të paguajë anëtarësinë vjetore për vitin e ardhshëm. Fondi nuk ia kthen paratë prap një anëtari/e që largohet me vetdëshirë.

 

  • 11 – NDRYSHIMI I STATUTIT

11.1. Të drejtë vote në mbledhjen gjenerale kanë vetëm anëtarët e Fondit të moshës mbi 18 vjet.

 

11.2 Ndryshimi i statutit mund të bëhet vetëm me një mbledhje gjenerale vjetore ose në një mbledhje të jashtëzakonshme gjenerale e mbajtur dy javë pas mbledhjes së rregullt gjenerale.

 

11.3 Ndryshimi i statutit bëhet i vlefshëm vetëm nëse votojnë PËR 2/3 e të pranishmëve në mbledhjen gjenerale vjetore ose nëse votojnë PËR 1/2 +1 votë e të pranishmëve në mbledhje të jashtëzakonshme gjenerale.

 

11.4 Kryesia e Fondit ka të drejtë t’a ndryshojë vetëm §4 të statutit me shumicë të votave në vet kryesinë edhe pa mbajtur mbledhje gjenerale me anëtarët. Këtë ndryshim kryesia mund t’a bëjë vetëm nëse është e nevojshme që Fondi të ketë ekonomi stabile.

 

11.5 Ndryshimi i statutit publikohet nga kryesia tek webfaqja e Fondit.

 

  • 12 – MBYLLJA E FONDIT

Mbyllja ose shpërbërja e Fondit mund të bëhet vetëm në një mbledhje gjenerale vjetore të rregullt ose të jashtëzakonshme. Për të mbyllur ose shpërbërë Fondin, duhet të jenë të pranishëm gjysma e anëtarëve të Fondit të moshës mbi 18 vjet dhe nga ato të pranishëm, 2/3 e tyre duhet të votojnë PËR. Pas vendimit për mbylljen ose shpërbërjen e Fondit, në atë mbledhje duhet të merret vendimi se ku duhet të shkojnë paratë e mbetura të Fondit.

 

Ky statut i cili u miratua në mbledhjen gjenerale me 24 shkurt 2024, hy në fuqi prej datës 1 mars 2024 dhe zëvendëson statutin e vjetër të datës 28/5.2008.

 

 

CVR: 37565113
Copyright - 2024 - fondi1983.dk